Zidan pas Liverpulit: Të përfundojmë punën në ndeshjen e dytë. Kthim te Juventusi? Ta shohim…

Zinedin Zidan është i lumtur me atë që ka parë te Reali i tij në ndeshjen ndaj Liverpulit. Skuadra dominoi dhe me meritë doli nga fusha e lojës me një fitore 3-1 që i jep mundësinë të shkojë pak më e qetë në sfidën e kthimit në Angli.  

“Duhet të jemi të lumtur me ndeshjen që kemi bërë, por mbetet kthimi dhe duhet të përfundojmë punën. Por e përsërit, mund të jemi të lumtur nga ndeshja sot pasi kemi bërë një lojë të kompletuar.

Jam i lumtur për Vinicius pasi i mungonte pak goli. Po bën një punë të madhe në fazën mbrojtëse dhe i mungonte pak goli. Sot ka shënuar dy dhe është gjë e madhe të realizosh në Ligën e Kampioneve. Jam i lumtur për të dhe skuadrën. Asensio? Janë 4-5 ndeshje që po shënon. Për ne është shumë e rëndësishme të krijojmë raste e shënojmë. Sot e kemi bërë, mund të shënonim edhe më shumë”, tha ai pas sfidës.

I ngacmuar nga gazetarët italianë rreth një kthimi të mundshëm në Itali, ku përmendet si kandidat për Juventusin, Zidan la gjithçka të hapur. “Italinë e kam gjithmonë në zemër, Juventusi ishte një skuadër e rëndësishme për mua. A do të më shihni përsëri në Itali? Nuk e di. Për momentin jam këtu. Të shohim…”, ishin fjalët e tij. /vipsport.al/