VIDEO / Foden i jep fitoren Sitit ndaj Dortmundit me gol në minutën e fundit, por kualifikimi mbetet i hapur

Një gol i talentit Fil Foden në minutën e 90 i ka dhënë mundësinë Mançester Sitit që të shkojë në ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve ndaj Borusia Dortmund me një avantazh minimal, pas suksesit 2-1. Skuadra e Guardiolës ka dominuar sfidën, por nuk ka qenë shumë e saktë para portës dhe kjo thuajse i kushtoi shumë shtrenjtë.

Goli i De Bryjn në pjesën e parë i dha siguri lojës së anglezëve që qarkulluan më mirë topin dhe u munduan që të administronin ndeshjen derisa të gjenin momentin e duhur për të goditur përsëri. Borusia provoi, por sulmi i saj nuk dukej në ditën më të mirë dhe Haland rrallëherë u shfaq i rrezikshëm para Ederson. Por ishte pikërisht norvegjezi ai i cili pak minuta para fundit dha një pasim të artë për Rojs, i cili barazoi shifrat duke tronditur vendasit. Megjithatë, skuadrën e Guardiolës e shpëtuan cilësitë e lojtarëve që ka në përbërje. De Bryjn nisi një pasim milimetrik për Gyndogan në zonë në minutën e 90 e ky i fundit gjeti me një kontroll perfekt Foden. Për anglezin ishte një lojë fëmijësh të shënonte nga pak hapa larg portës e kështu erdhi goli i 2-1 që i jep avantazhin Sitit për ndeshjen e dytë.

M. Siti-B. Dortmund 2-1
19′ De Bryjn, 90′ Foden / 84′ Rojs

MANÇESTER SITI (4-3-3): Ederson; Uoker, Ruben Dias, Stouns; Kanselo; De Bryjn, Rodri, Gyndogan; Bernardo Silva, Foden, Mahrez.
Trajner: Pep Guardiola

BORUSIA DORTMUND (4-3-3): Hitz; Morei, Humels, Akanji, Guerreiro; Dahud, Emre Xhan, Bellingam; Knauf, Haland, Rojs.
Trajner: Edin Terziç