VIDEO / Fitore në minutën e fundit për Barcelonën, tashmë vetëm 1 pikë larg kreut

Një gol në minutën e 90 iu Ousman Dembele i ka dhënë sot Barcelonës fitoren shumë të rëndësishme në luftën për titullin kampion, duke i afruar katalanasit vetëm 1 pikë larg Atletikos kryesuese e duke bërë që kampionati të jetë më i hapur se kurrë. Skuadra e Kuman, në një ndeshje shumë të vështirë ndaj Real Vajadolid ka dalë me tre pikë të arta të cilat mund të jenë vendimtare për t’u kthyer përsëri në majën e La Ligas.

Barcelona nuk arriti të çante mbrojtjen e ngjeshur të miqve dhe për më tepër, rrezikoi shumë edhe të pësonte, teksa ekipi kundërshtar kërkoi një penallti për prekje të topit me dorë të Zhordi Alba në zonë kur sapo kishte kaluar një orë lojë. Por ky nuk ishte episodi i vetëm pasi gjyqtari nxori Oskar Plano me të kuq për një ndërhyrje ndaj Dembele, që në fakt duhej të ishte i verdhë.

Barcelona përfitoi nga superioriteti numerik në minutat e fundit dhe kërkoi me ngulm golin duke e gjetur pikërisht në të 90-tin, me goditjen e Dembele i cili gjeti rrjetën atëherë kur duhej dhe të bënte La Liga edhe më entuziazmuese në fundin e edicionit. /vipsport.al/