Telashe për ishin e Milanit, del nga shtëpia edhe pse me COVID. Përplaset me një biçikletë

Luis Adriano është në telashe në Brazil duke qenë se do të duhej të ishte i izoluar për shkak se më datë një prill rezultoi i infektuar me COVID-19. Mirëpo, futbollisti që tashmë është pjesë e Palmeiras në kampionatin vendas, ka “thyer” karantinën dhe me makinë ka shoqëruar mamanë e tij për të bërë pazarin.

Për fat të keq, teksa ishte në parkingin e supermarketit, sulmuesi ka pasur një incident me dikë që ishte me biçikletë. Adriano zbulon se e ka mbajtur maskën gjatë gjithë kohës, megjithatë në atë rast iu desh të dilte nga makina për të ndihmuar personin që u aksidentua me biçikletë.

Futbollisti, nëpërmjet rrjeteve sociale e ka pranuar se ka gabuar dhe ka kërkuar falje, megjithatë Adriano nuk do t’i shpëtojë një gjobe nga klubi i Palmeiras, ndërsa shuma e parave që do të paguhet nga sulmuesi do të shkojë si një fondacion bamirësie. /VipSport.al/