Superiore U21/ Laçi fiton ndaj Bylis dhe i rrëmben kreun, humbet Tirana dhe barazon Teuta

Në ditën e sotme të Kategorisë Superiore për U21, bie në sy fitorja e Laçit ndaj Bylisit me rezultatin 2-1. Këto dy ekipe janë duke luftuar për vendin e parë, teksa pas këtij suksesi janë kurbinasit që ngjiten në kryesim me dy pikë më shumë se ballshiotët.

Sa i përket sfidës, të parët që kaluan në avantazh ishin miqtë me anë të Ujkës, por Redon Xhixha për vendasit shënoi dy herë në pjesën e dytë, madje goli i fitores erdhi në minutën e 94. Ndërkohë, në sfidat e tjera, Tirana u mposht në transfertë përballë Kastriotit me rezultatin 1-0. Për krutanët, vendimtar ishte goli i minutës së tetë nga ana e Dacit.

Kështu, vendasit ruajtën deri në fund avantazhin dhe pas këtyre tre pikëve renditen në vendin e pestë, me 26 pikë, ndërsa bardheblutë kryeqytetas janë në vendin e shtatë me 25 pikë. Sakaq, Teuta nuk ka shkuar më shumë se një barazim 2-2 ndaj Kukësit. Të katërt golat erdhën në fraksionin e dytë dhe në të dyja rastet ishin verilindorët që shënuan të parët, megjithatë durrsakët ditën si të përgjigjeshin. Sa i përket klasifikimit, Teuta është në vendin e katërt me 30 pikë, ndërsa Kukësi është në vendin e tetë me 24 pikë. /VipSport.al/

Ndeshjet:

Teuta-Kukësi 2-2

Laçi-bylis 2-1

Kastrioti-Tirana 1-0

Shënkolli-Turbina 1- 4