Sukseset e Atalantës, në Itali ia japin meritat “evolucionit” të Berat Gjimshitit

Berat Gjimshiti ka kaluar brenda pak vitesh nga një i panjohur, në një nga mbrojtësit më të vlerësuar në Serinë A dhe tashmë mediat italiane i japin atij një pjesë të meritave për sukseset e fundit të Atalantës. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare qëndroi “rastësisht” te Atalanta atëherë kur po bëhej gati të transferohej në një ekip tjetër, vetëm sepse klubit iu dëmtuan dy qendërmbrojtës njëherësh. Por tani, e përditshmja italiane “Tuttosport” e ka cilësuar si kyçin e manovrës së trajnerit Gasperini.

Gjimshiti ka qenë pjesë e treshes së prapavijës në edicionet e kaluara, por në kohët e fundit, është parë teksa merr gjithnjë e më sulm iniciativën duke dalë përpara. Sipas të përditshmes italiane, ky është një variant që Gasperini po e aplikon më së shumti kohët e fundit, duke aktivizuar mbrojtësin shqiptar si të majtë në një rreshtim të improvizuar me katër, kur aktivizon Mahle në krahun tjetër.

Në analizën taktike që i bëhet lojës së Atalantës, ai vlerësohet si i vetmi nga treshja fillestare e mbrojtjes që lejohet të dalë përpara me topin në këmbë, falë aftësive që ka për të organizuar lojën, duke u bërë nj mesfushor më shumë në momentet kur ekipi i tij sulmon. Ky është një rol shumë i rëndësishëm që tregon edhe një herë se sa është përmirësuar futbollisti i cili në moshën 28-vjeçare po kalon padyshim sezonin më të mirë të karrierës së tij. /vipsport.al/.