Resuli: Kemi mungesa, por denjësisht me Kroacinë, jemi rritur shumë!

Pasi mundi Danimarkën në Tiranë, Shqipëria e Futsallit do të luajë nesër në mbrëmje në Feti Borova ndeshjen e pestë të fazës së grupeve të Kampionatit Europian të Futsallës. Skuadra jonë Kombëtare, për herë të parë në historinë e vetë ka arritur në 24 skuadrat më të mira të Europës.

Trajneri Erind Resuli ka folur në fshf.org para ndeshjes me danezët, teksa ka pohuar se: “Kemi përballë Kroacinë në këtë ndeshje të rradhës, një skuadër që është në 6 të parat e Europës. Një skuadër që është kualifikuar për në finalet e Europianit. Janë një ekip profesionist, shumë i fortë, me një përbërje ku spikasin lojtarë që luajnë në Spanjë e Itali. Në ndeshjen e parë në Varazhdin bëmë një paraqitje të mirë, veҫanërisht në pjesën e parë, por diferenca doli në pjesën e dytë ku gjëndja fizike rëndohet. Ky është sport ekspresiv ku gjëndja fizike është vendimtare në pjesën e dytë dhe aty u bë diferenca. Ne mendoj se bëmë një përfaqësim të mirë kundrejt këtij ekipi. Të shohim tani ndeshjen e dytë në Tiranë, sepse ҫdo fushë ka karakteristikat e veta. Jemi në fushën tonë, përgjegjësia është pak më e madhe. Ne do japim maksimumin. E kam thënë që në fillim të këtyre ndeshjeve që kjo është hera e parë që ne vijmë në fazën e grupeve të Europianit, një herë e parë që e shkelim. Ne duhet të marrim maksimumin në ҫdo aspekt që të na shërbejnë për të ardhmen”.

Situata në ekip

“Këtë herë kemi më shumë mungesa se në ndeshjet e mëparshme. Sinqerisht duhet t’ju them se është një gjëndje që nuk mund ta parashikojë asnjë njeri. Ne në këtë moment akoma nuk dimë listën e saktë të lojtarëve që do të luajnë ndaj Ukrainës në transfertë, katër ditë pas Kroacisë. Lojtarë të dëmtuar, disa janë me Covid dhe disa të tjerë nuk kanë ardhur për shkak të karantinës në disa vënde europiane, siҫ është rasti i disa elementëve nga Italia. Disa lojtarë kanë klubet e tyre, punën, familjet, dhe i bie të qëndrrojnë 10 ditë në grumbullim, plus karantina në vëndet nga vijnë, i bie të rrezikojnë shumë duke parë që ndeshjet janë shumë afër. Gjej rastin të falenderoj të gjithë lojtarët që kanë pasur mundësi të vijnë, kanë sakrifikuar. Dua të përshëndes edhe ato që kanë pasur dëmtime ose kanë qënë me Covid sepse dëshirën e kanë pasur për të përfaqësuar kombëtare. Unë nuk kam dëshirë të justifikohem por situata është e tillë. Nga grupi pres që të japin maksimumin dhe të dalim pozitivisht. Kam besim te djemtë se ato do të japin shpirtin dhe zemrën në fushë. Rezultatin do ta përcaktoj fusha”.

E ardhmja

“Kombëtarja e Futsallit ka bërë hapa të sigurta. Kur kam marrë drejtimin e skuadrës, kemi qënë shumë ulët në nivel dhe renditjen e përgjithshme. Jemi rritur shumë, kemi arritur të kalojmë turin e parë, “Main Round” dhe sot ku jemi në “Elite Round”, 24 skuadrat më të mira të Europës. Punët duhet të ndërtohen shkallë shkallë. Unë mendoj se kemi bërë hapa të sigurtë. Unë, stafi dhe lojtarët kemi bërë maksimumin. Në të ardhmen do të japim përsëri maksimumin për të arritur më lart”, – tha trajneri Erind Resuli.

E.S./Vipsport.al/