Reali kërkon t’i prishë punë Barcelonës, bisedime me Haland vetëm për t’i rritur çmimin

Real Madrid nuk është i interesuar që të blejë Erling Haland këtë verë, por ka nisur bisedimet me përfaqësuesit e sulmuesit norvegjez vetëm për t’i prishur punë Barcelonës. Ky është pretendimi i “Eurosport”, sipas të cilit klubi i drejtuar nga Florentino Perez nuk ka norvegjezin si prioritet, por Kilian Mbape dhe çdo bisedim me norvegjezin ka si qëllim vetëm që të dëmtojë interesat e Barcelonës.

Sipas “Eurosport”, te Reali nuk e mendojnë një negociatë me Raiolën, të ndërgjegjshëm se ai do të kërkojë shifra marramendëse si shpërblim. Por të dy palëve u intereson që të ketë një dialog publik për futbollistin dhe e kanë ushqyer atë. Në këtë mënyrë Raiola ka një kartë më shumë për të luajtur në bisedimet me Barcelonën ndërsa Reali është i interesuar që nëse katalanasit do të blejnë lojtarin, të shpenzojnë sa më shumë për të.

Madrilenët nuk kanë ndër mend të bisedojnë me Raiolën pasi nuk duan të përfshihen në negociata me të, të zhgënjyer nga ajo që u ka ndodhur në vitet e kaluara me Pogba e Donarumën, ku kërkesat financiare për futbollistët por edhe përqindjet që kërkonte menaxheri ishin të frikshme. Por nëse ky i fundit arrin të zhvatë shifra të tilla nga katalanasit, kjo do të dëmtonte më shumë klubin e Laportës, që është në situatë të vështirë financiare. /vipsport.al/