Nga Italia të sigurt, Strakosha ikën nga Lacio. Tare gati pasardhësin

Ka qenë padyshim një sezon i pafat ky aktuali për Tomas Strakoshën. Mes COVID, dëmtimit dhe ndonjë gabimi në fushë, gardiani i kombëtares humbi postin e titullarit te Lacio teksa tashmë i preferuari i trajnerit Simone Inzagi është Pepe Reina.

Kjo situatë e ka lënë të pakënaqur portierin i cili duket se do të provojë një aventurë larg bardhekaltërve dhe Italisë. Ofertat për të nuk mungojnë, sidomos nga Anglia ku e preferojnë shumë.

Ndaj, mediat përtej Adriatikut duke e parë thuajse të sigurt largimin e Strakoshës, kanë nisur të parashikojnë edhe goditjen e radhës të drejtorit Tare, pikërisht një portier për të zëvendësuar shqiptarin. I preferuari i Tares duket se është Lorenco Montipi, pjesë e Beneventos dhe deri tani ka qenë një nga më të spikaturit në ekipin e tij. /VipSport.al/