Menaxheri i Hysajt: Interesim i Milanit? No koment. Rrahmani duhej të kuptonte futbollin e Gatuzos

Mario Xhiufredi, menaxheri i Elseid Hysajt, ka komentuar në mediat italiane zërat e fundit rreth interesimit të Milanit për mbrojtësin e përfaqësueses shqiptare, Në intervistën e tij, ai ka lënë gjithçka të hapur rreth të ardhmes së futbollistit.

“Hysaj te Milani? Shohim përpara. E ardhmja e Hysajt është ende e paqartë. Mund të shkojë në shumë skuadra, jo detyrimisht te Milani. Destinacioni i tij nuk është shkruar ende. Për fat të keq, për të përcaktuar të ardhmen e tij, duhen vendosur disa piketa te trajnerët. A është i i vërtetë interesimi i Milanit. No koment, të kalojmë në një temë tjetër”, tha fillimisht menaxheri duke iu referuar zërave që kanë qarkulluar kohët e fundit në mediat italiane.

Ndërkohë, ai shpjegoi pse sipas tij Amir Rrahmani nuk ka luajtur me aq vazhdimësi te Napoli. “Rrahmani kishte nevojë që të kuptonte futbollin e trajnerit. Ka disa lojtarë që kanë nevojë për kohë. Kur e ka bërë, Gatuzo e ka aktivizuar”, tha Xhiufredi. /vipsport.al/