Jupi paralajmëron: Kur të ngjishet përsëri kampionati, do të bjerë cilësia e futbollit

Redi Jupi ka binden se skuadrave të Superiores u kishte bërë mirë një javë frymëmarrje si pasojë e ndalesës së kampionatit për ndeshjet e kombëtareve. Por ish-futbollisti, në “Procesi Sportiv” paralajmëroi se cilësia do të vine në rënie kur të ngjishej përsëri kalendari, edhe pse 10 javët e mbetura do të vazhdonin të garantonin interes.

“Teuta me Laçin ishte ndeshje e mirë. Vllaznia me Partizanin ishte ndeshje me ritëm. Këtë javë ekipet i ndihmoi rikuperimi fizik nga ekipet kombëtare, më dukeshin në gjendje fizike të përmirësuar. Ishte interesante kjo javë se ishin skuadrat e kreut ndaj njëra-tjetrës.

Jemi gabuar vazhdimisht me parashikimet tona për titullin. Laçi dhe Partizani ishin treguar si kryesorë në garën për titull. Teuta mundi një kundërshtar direkt, e dominoi lojën dhe kjo është e rëndësishme për Teutën. Partizani nga ana tjetër dominoi deri diku dhe në fund Vllaznia u kthye të bënte skuadrën. Në fillim të kampionatit po bënte mrekulli dhe thoshim si ka mundësi. Pat disa javë rënie e tani ka ardhur në nivelin e saj. Afrimi i Tiranës me 5 pikë diferencë nga vendi i parë, ka bërë të kemi 5 skuadra që kanë 10 ndeshje për të luftuar për titull. Të jeni të sigurt që nuk do të mërziteni nga interesi në këto javë. Por kur ndeshjet të vijnë përsëri të mërkurë e të shtunë, do të bjerë përsëri cilësia e futbollit”, tha Jupi. /vipsport.al/