Fitorja e afron me titullin, pengu i Kontes: Me këtë sjellje tani do të ishim ende në Champions

Antonio Konte po i afrohet një tjetër titulli kampion në karrierën e tij si trajner, të parin me Interin të cilin sot ka arritur ta shkëputë me 11 pikë nga ndjekësi më i afërt. Por për trajnerin ekziston një peng i madh në këtë sezon, ai eliminim i turpshëm nga Liga e Kampioneve duke mbyllur shumë para kohe pjesëmarrjen në turne.

“Çfarë ndryshoi në fazën e dytë? Mendoj se nevojitej një tjetër hap nëse dëshironim që të bënim një sezon si protagonistë të vërtetë, nëse dëshironim të bëheshim pretendentë për titullin. Nevojitej që të rritnim nivelin e egërsisë, të vëmendjes, të vendosmërisë në çdo situatë. Duhej të rritnim nivelin e vendosmërisë.

Ka ndeshje si e sotmja ku përballesh me skuadra që kanë pak çfarë të kërkojnë nga kampionati dhe vijnë këtu me kokën e zbrazur nga telashet. Nëse ne pastaj jemi më të aftë, më të egër, më cinikë, mund të bëjmë 5-6 gola e ta mbyllim më përpara ndeshjen. Janë ndeshje të rëndësishme për ne dhe tregojnë se skuadra po rritet. Me këtë mentalitet, me këtë sjellje, ndoshta sot do të ishim ende në Ligën e Kampioneve”, tha Konte pas sfidës së fituar 2-1 ndaj Sasuolos. /vipsport.al/