FIFA e mban larg Shqipërisë, për futbollistin ka interes nga klubet e Serisë A

Gëzimi i Nedim Bajramit për ftesën nga Shqipëria, u kthye në ankth nga fakti se FIFA duket se bllokon kalimin e tij te kuqezinjtë pas aktivizimit me Zvicrën. E megjithatë, ai mund të ngushëllohet disi me faktin se duket që ka një të ardhme të sigurt në futbollin e rëndësishëm.

Sipas medieve italiane, gjatë kohëve të fundit, për të është shtuar interesi i klubeve të Serisë A që kanë vlerësuar paraqitjet e mesfushorit me Empolin, ku ai është kthyer në një nga emrat më të rëndësishëm të klubit që synon kthimin në elitën e futbollit italian. Sipas portaleve pranë kubit, për Bajramin është shtuar interesi i Sampdorias, por edhe i një klubi i cili po bën shumë mirë në këto momente në Itali si Atalanta.

Për Bajramin duket se ky do të jetë viti i fundit në Serinë B, pasi me interesimin e klubeve të tilla, do të jetë e vështirë për Empolin që t’u rezistojë ofertave për mesfushorin që shpreson që të mbyllë sezonin duke festuar gjithsesi ngjitjen në Serinë A e mundësisht edhe duke veshur fanellën kuqezi të përfaqësueses shqiptare. /vipsport.al/