Fakaj: Lojtarët e sulmit nuk kanë kimi, duhet më shumë personalitet

Ish-futbollisti i kombëtares, Ervin Fakaj, ka komentuar ndeshjen e djeshme mes San Marinos dhe Shqipërisë. Ish-futbollisti thekson se lojtarët e sulmit nuk kanë kimi mes tyre, ndërsa shton se në ndeshje të tilla duhet më shumë personalitet dhe besim për të zgjidhur ndeshjet.

“Nuk shoh një dyshe në sulm që të funksionojë si duhet dhe të jetë si Tare-Rraklli, apo si Bogdani-Bushi dikur. Duhet pak “kimi” mes lojtarëve të sulmit. Unë këtë nuk e shoh sot te Shqipëria.

Dakord, të rëndësishme ishin tri pikët dhe jemi dakord, por po luanim me skuadrën më të dobët në planet, nuk kemi pse e komplikojmë kaq shumë.

Mendoj se në ndeshje të tilla nuk kemi as pse i përjetojmë me kaq shumë stres, duhet pak më tepër personalitet, duhet më shumë guxim dhe vetëbesim. Të them të vërtetën, mua kjo skuadër ende nuk ma jep këtë ndjesi, por ndoshta e kam gabim”, u shpreh Fakaj. /VipSport.al/