Dede: Nëse i merrnim një pikë Anglisë, diskutonim kualifikimin. Frika nga dështimi është problem

Shqipëria mori gjashtë pikë në tre ndeshjet e para kualifikuese të Katar 2022, teksa mposhti Andorrën dhe San Marinon, por nuk ia doli të merrte të paktën një pikë ndaj Anglisë në shtëpi.

Një pikë, që në një grup ku është edhe Polonia me Hungarinë mund të bënte diferencën, ndërsa në lidhje me këtë, ish-trajneri i kombëtares U19 dhe Tiranës, Nevil Dede, thekson se në rast të barazimit me britanikët, atëherë mund të diskutohej edhe çështja e kualifikimit. Ndër të tjerë, në emisionin Skaner, Dede shprehet se trajneri Edi Reja nuk duhet të ketë frikë nga dështimi.

“Për renditje jemi në rregull. Në letër kishim 6 pikë të sigurta, por në qoftë se merrnim një pikë me Anglinë mund të diskutonim për kualifikim.

Reja ka në dispozicion 50 lojtarë, ndërsa në dijeni time ka përdorur 44. Reja nuk duhet të ketë frikë nga dështimi, ne atëherë mund të shohim kombëtaren që duam. Në këtë kontekst mund të shohim se kemi bërë progres. Të kemi frikë nga dështimi për mua është problem”, u shpreh Dede. /VipSport.al/