Çudia me Florian Kamberin, i dëmtuar për Kombëtaren por luan titullar për klubin e tij

Trajneri Edi Reja i cilësoi të turpshme aludimet se kishte një problem në radhët e përfaqësueses shqiptare me Florian Kamberin dhe tregoi si shembull faktin se sulmuesi kishte udhëtuar drejt San Marinos me ekipin edhe pse do të largohej drejt Skocisë për probleme shëndetësore pasi nuk kishte në gjendje të luante. Por situata e sulmuesit dhe veprimet e tij me të drejt bëjnë të dyshosh se ka diçka që nuk shkon në këtë mes.

Sipas Rejas, lojtari nuk ishte aktivizuar ndaj Anglisë pasi ishte ankuar se ndjente dhimbje dhe nuk mund të vraponte. E njëjta gjë ishte përsëritur edhe në stërvitjet para San Marinos, duke shtyrë stafin mjekësor që t’i jepte dritën e gjelbër largimit të tij nga grumbullimi i kuqezinjve.

Si për çudi, vetëm pak ditë më vonë, Kamberi është shfaqur plotësisht i shëruar, titullar me skuadrën e  Aberdin në Kupën e Skocisë, duke marrë pjesë në suksesin e ekipit të tij. Sulmuesi luajti titullar në sfidën e fituar 1-0 ndaj Dambarton, ndërsa doli nga fusha e lojës në minutën e 55-të. Pikërisht ai që e zëvendësoi, Kallum Hendri, shënoi golin e suksesit në minutat e fundit.

Tani mbetet të mësohet e vërteta e kësaj situate, por duhet theksuar se nuk është hera e parë që në radhët e kuqezinjve ka pasur futbollistë të cilët kanë braktisur grumbullimin si të dëmtuar e më pas në fundjavë janë shfaqur pa asnjë shqetësim fizik në radhët e skuadrave të tyre, sidomos kur mësonin se nuk do të kishin rol kryesor në ndeshjet e përfaqësues. /vipsport.al/