Abazaj: Do tentojmë edhe kreun, Pogradeci e meriton ngjitjen

Ardjan Abazaj gjithmonë e ka drejtuar me shumë sukses skuadrën e Pogradecit, edhe në saj të njohjes mjaft të mirë që ka me grupin e lojtarëve, e për më tepër që shumicën e tyre i ka trajnuar fillimisht tek moshat, e më pas në ekipin e parë. Pogradeci edhe këtë sezon, ashtu si edhe vjet i ka dhën tonin garës.

Madje është ekipi që ndali Egnatian në kulmin e rrogozhinasve në Peqin, ndërsa, tashmë para ndeshjes me Tomorin, Abazaj ka pohuar: “Tani janë të gjitha mundësitë, të luftojmë edhe për vendin e parë. Kemi siguruar qëndrimin në katërshen e parë dhe ky ishte objektivi i parë për ne. Tani kemi mundësi ideale për të hyrë në luftë për vendin e parë.”

“Gjithçka varet nga ne. Diferenca me vendin e parë është shtatë pikë, por kemi nga dy duele. E përsëris çdo javë, nuk ka kundërshtarë të dobët. Duhet shumë punë për të fituar dhe për të realizuar synimin që ne kemi, e pse jot ë kapim edhe kreun”, – tha trajneri i skuadrës së Pogradecit, Ardjan Abazaj.

E.S./Vipsport.al/