VIDEO / Teutës i mjafton goli i Bregut, vazhdon kriza e Vllaznisë

Teuta i ka dhënë një tjetër goditje shumë të rëndë shpresave të Vllaznisë se mund të fitojë titullin kampion në këtë edicion, pasi mundi sot me shifrat 1-0 shkodranët në “Niko Dovana” dhe praktikisht ka zhdukur diferencën që ata kishin krijuar në kryesimin e kampionatit. Ekipi i Brdariç ka vazhduar serinë e ndeshjeve pa fitore duke e çuar në 7 dhe tashmë është e qartë se vetëm ndonjë mrekulli mund t’i mbajë shumë gjatë në kryesim.

Në ndeshjen e sotme, diferencën e ka bërë një gol i shkëlqyer i Dejvi Bregut në pjesën e parë me një gjuajtje që u ndal në rrjetën e portës së Zogoviç pas një pjese të parë ku Teuta u shfaq më konkrete e kërkoi më shumë golin. Ndërkohë, në pjesën e dytë Vllaznia u zgjua disi dhe Brdariç provoi në çdo mënyrë që të ndryshonte rrjedhën e sfidës, por nuk kishte në fund as fatin me vete, pasi Hoxhaj goditi traversën e portës së Frashërit me një goditje dënimi, duke mos iu gëzuar dot një goli që do t’i jepte frymëmarrje ekipit ndërsa një gjuajtje e Cise përfundoi jashtë ngjitur me shtyllën.  

Kështu, Vllaznia tani ka vetëm 1 pikë avantazh ndaj Teutës e Laçit që janë ndjekësit më të afërt e 2 ndaj Partizanit të vendit të katërt, në një kampionat që është hapur plotësisht.

TEUTA-VLLAZNIA 1-0
26′ Bregu

TEUTA: Frashëri, Hoxha, Arapi, Todorovski, Kuros, Aleksi, Avdyli (71′ Daja), E. Vila, L. Vila, Bregu (48′ Gruda), Krasniqi.
Trajner: Edi Martini

VLLAZNIA: Zogoviç, Gurishta, Adili, Shehu, Imami (83′ Elom), Jonuzi (70′ Hoxhaj), Krymi, Kaleziç (70′ Kruja), Imeri (70′ Kalaja), Da Silva (83′ Cise), Dilaver.
Trajner: Thomas Brdariç

KV: Kuros / Gurishta, Krymi. Da Silva, Krymi

Gjyqtar: Enea Jorgji