VIDEO / Natë historike në “Anfield”, Çelsi turpëron ekipin e Jurgen Klop

Liverpuli i Jurgen Klop shkruan historinë, por jo më në aspektin pozitiv siç kishte mësuar deri pak muaj më parë kur dominonte futbollin në Angli e Europë. Të kuqtë kanë dështuar përsësri në shtëpi, duke regjistruar për herë të parë në historinë e tyre 129-vjeçare humbjen e pestë radhazi në stadiumin “Anfield”.

Një tempull që këtë herë është njollosur nga Çelsi i Tomas Tuhel, i cili fitoi derbin gjerman të trajnerëve, falë një goli të Mejzon Maunt në pjesë e parë dhe një lojë që nuk i la Liverpulit të krijonte pothuajse asgjë, aq sa edhe gjuajta e parë në kuadrat për ekipin vendas ishte në minutën e 85-të. Ndërsa Çelsi duhej të kishte fituar me rezultat më të thellë nëse do të kishte qenë më e saktë para portës në rastet që krijoi në këtë duel, që i mundësoi kthimin në vendin e katërt në renditje.

Humbja ishte në makth për Liverpulin, që sheh veten tashmë 4 pikë larg londinezëve dhe në rrezik të plotë që të mbetet pa Ligën e Kampioneve në edicionin e ardhshëm, një ndryshim drastik në krahasim me sezonet e mëparshme për ekipin e Klop. /vipsport.al/