VIDEO / Morata e vendos me 2 gola dhe asist, Juventusi kalon me përmbysje Lacion

Alvaro Morata për një natë ka bërë që tifozët e Juventusit të mos e mendonin qëndrimin në stol të Kristiano Ronaldos. Spanjolli ka zgjidhur një ndeshje shumë të komplikuar për Juventusin, duke vulosur fitoren 3-1 ndaj Lacios e duke mbajtur gjallë shpresat e bardhezinjve për të luftuar për titullin kampion.

Lacio e nisi ndeshjen mirë, me një gol të shpejtë të Korreas i cili përfitoi nga gafa e Kulusevskit në një pasim mbrapa. Më pas, Lacio thumboi disa herë të tjera, por u godit në momentin më të mirë kur dukej se mund të mbyllte ndeshjen, nga Rabio. Asist i Moratës dhe predhë e francezit, për të barazuar shifrat e për të çuar pak më të qetë bardhezinjtë në pushimin e sfidës.

Por në kthimin në fushë, ishte përsëri Lacio që diktoi ritmin dhe iu afrua golit, duke tronditur edhe traversën e portës së mbrojtur nga Shçzesnji me Milinkoviç-Saviç. Por Morata u bë protagonist duke zgjidhur këtë ndeshje brenda 3 minutash. Fillimisht spanjolli shënoi golin e përmbysjes me një gjuajtje të fortë diagonale e më pas, falë penalltisë së fituar nga Ramsej, vulosi shifrat 3-1.

Lacio kërkoi me të gjitha mënyrat të rihapte ndeshjen, por nuk ia doli të shënonte më dhe pa se si sfida u mbyll me suksesin e Juventusit që i bën përsëri trysni dyshes së milanezëve. Ndërsa Lacio mbetet jashtë zonës së Ligës së Kampioneve, duke komplikuar rrugën drejt këtij objektivi pasi mund t’i japë mundësinë ekipeve që ka përpara të shkëputen. /vipsport.al/

Juventus-Lacio 3-1
39′ Rabio, 57′, 60′ (p) Morata / 14′ Korrea

Juventus (4-4-2): Shçzesnji; Kuadrado, Demiral, Danilo, Aleks Sandro; Bernardeski, Ramsej, Rabio, Kieza, Kulusevski, Morata.
Trajner: A. Pirlo

Lacio (3-5-2): Reina; Hoedt, Açerbi, Marusiç; Luliç, Milinkoviç-Saviç, Lukas Leiva, Luis Alberto, Fares; Korrea, Imobile.
Trajner: S. Inzagi