VIDEO / Legjendat e të kaluarës dhe e tashmja, Sidrit Bejleri prezanton himnin e ri të Vllaznisë

Vllaznia vazhdon të jetë në kryesimin e Kategorisë Superiore, por klubi shkodran nuk po kalon një periudhë të lumtur në këtë pjesë të edicionit, pasi ka një seri prej 7 ndeshjesh radhazi pa shijuar fitoren, që kanë fshirë avantazhin që kishte krijuar ndaj ndjekësve,

Një moment që ka ulur moralin te kuqeblutë e te tifozeria e cila ka filluar të kritikojë sjelljen e ekipit në fushën e lojës në ndeshjet e fundit. Për të kthyer pak entuziazmin ka menduar këngëtari i njohur shkodran Sidrit Bejleri, i cili me ndihmën e kompozitorit Shpëtim Saraçi, ka realizuar këngën “Vllazni” që pritet të kthehet shpejt në himnin e ri të klubit kuqeblu.

Videoklipi është realizuar pak ditë më parë në Shkodër, në atmosferën që krijonte flamuri gjigant i mbështetësve kuqeblu që është vendosur në tribunat e “Loro Boriçit”. Pak nga e tashmja e kësaj skuadre, por pak edhe nga e kaluar e lavdishme pasi në këtë video bëjnë paradë disa nga momentet e historisë së “djepit të futbollit” në vendin tonë, duke kujtuar të kaluarën e lavdishme, me shpresën që nën drejtimin e Brdariç, të festohen përsëri momente të tilla në qytetin verior, /vipsport.al/