VIDEO / Juventusi kthehet te fitoret, Specia e Ismajlit dorëzohet në pjesën e dytë

Juventusi u është kthyer përsëri fitoreve duke mbajtur gjallë shpresat për të vazhduar në lutën për titullin kampion deri në fund të sezonit. Bardhezinjtë kanë dhuruar një provë me dy fytyra ndaj një kundërshtari shumë të vështirë si Specia, që i kishte krijuar probleme shumë skuadrave, por në fund kanë dalë me tre pikët falë një fitoreje 3-0.

Pjesa e parë ishte për t’u harruar, pasi skuadra u shfaq pak thumbuese në sulm, ndërsa lejoi që edhe kundërshtarët të shfaqeshin rrezikshëm para portës së Shçzesnji. Vetëm Ronaldo në fund iu afrua golit, duke tronditur shtyllën e portës së ekipit mik.

Por në pjesën e dytë, Pirlo gjeti zëvendësimin e duhur kur hodhi në fushë Moratën në minutën e 61-të. Spanjollit iu desh vetëm 1 minutë në fushë që të gjente golin e avantazhit, duke lehtësuar bardhezinjtë të cilët më pas dyfishuan me Kiezën. Në fund, erdhi edhe goli i 20 i Ronaldos në kampionat, duke vulosur suksesin 3-0 të bardhezinjve, rezultat i cili u mbrojt nga Shçzesnji, i cili priti penalltinë e Galabinov në shtesa.

Kështu, Juventusi kthen në 7 pikë diferencën me Interin kryesues, në pritje që ky i fundit të luajë me Parmën në transfertë në ndeshjen e nesërme. Ndërsa për Ronaldon ishte një hakmarrje e vogël për të gjithë ata që kanë kritikuar formën e tij, pasi goli i sotëm ishte i 48-i që shënonte në 48 ndeshjet e fundit të luajtura prej tij në Serinë A. /vipsport.al/