VIDEO / Izmir Smajlaj i pafat, jashtë finales së Europianit për vetëm 5 centimetra

Izmir Smajlaj nuk ia ka dalë që të përsëritë sukseset e tij në arenën ndërkombëtare, pasi sot atleti shqiptar nuk ia ka dalë që të sigurojë praninë në finalen e kërcimit së gjatë në Europianin e sallave të mbyllura që po zhvillohet në Poloni. Një rezultat që padyshim ka zhgënjyer rekordmenin shqiptar, i cili e ka parë veten jashtë finales së madhe për vetëm 5 centimetra.

Smajlaj vinte në këtë aktivitet pas disa rezultateve shumë të mira në arenën ndërkombëtare, duke u konfirmuar edhe Kampion Ballkani pak ditë më parë. Por sot, gara e tij nuk ishte në nivelet që shpresonte atleti kuqezi.

Në kërcimin e tij të parë, ai ishte shumë larg standardeve të zakonshme, duke regjistruar një hedhje 7,48 metra. Në të dytën, ai u përmirësua ndjeshëm me 7,69 metra, por duke shkelur shumë larg vijës, gjë që do t’i kishte mundësuar që të ngjitej në renditje, por që e la në vendin e 9 në klasifikimin r përgjithshëm.

Një vendosje e këmbës që do të rezultonte fatale, pasi në kërcimin e fundit, ai bëri faull dhe kështu mbeti në fuqi vetëm kërcimi i dytë i tij, me vendin e 9 në renditjen e përgjithshme në kualifikuese. Kështu, Smajlaj mbeti jashtë, pasi u kualifikuan për finalen 8 emrat e parë në listë, duke bërë që për vetëm 5 centimetra, ai të mungonte në këtë eveniment. /vipsport.al/