VIDEO / Emir Sahiti, mesazh për Rejan me gol dhe asist në Kroaci

Një nga zbulimet e këtij sezoni në kampionatin kroat të futbollit është padyshim Emir Sahiti, i cili pasi ka filluar të gjejë hapësira për të treguar talentin e tij, po e bën këtë më së miri duke bindur me paraqitjet që po dhuron me skuadrën e Sibenik. Sulmuesi i talentuar, pjesë e Shpresave kuqezi në të kaluarën, i ka dërguar një mesazh në distancë trajnerit të përfaqësues shqiptare, Edi Reja, me një gol e një asist në ndeshjen ndaj Istra.

Në minutën e 44-të të ndeshjes, pas një kundërsulmi të shpejtë, Sahiti u shfaq para portierit dhe me qetësi arriti të dërgonte topin në rrjetë duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Ky ishte goli i 7 i Sahitit në këtë edicion në Kroaci, gol të cilin ai e festoi me shqiponjë, siç nuk ka bërë shpesh më parë, një mesazh i qartë se pret tani një ftesë nga përfaqësuesja shqiptare meqë po kalon një formë të shkëlqyer.

Për fatin e tij të keq, Istra arriti të shënonte tre gola e përmbyste rezultatin në pjesën e dytë të sfidës duke përfituar nga gafat në prapavijën e Sibenik. Sahiti u mundua të mbante në lojë skuadrën dhe dha asistin për golin e 3-2. Por skuadra e tij nuk arriti të tundte më pas më rrjetën dhe kështu e mbylli këtë ndeshje pa pikë, duke mbetur në vendin e 6 në renditjen e kampionatit. /vipsport.al/