VIDEO / Dy shuplaka në fund, Bajerni dominon “Der Klassiker” me përmbysje

Bajern Mynih ka fituar sot “Der Klassiker” ndaj Borusia Dortmundit me një përmbysje spektakolare, në një sfidë që pas 10 minutash dukej sikur ishte në kasafortë për miqtë. Protagonistë të mbrëmjes ishin padyshim Robert Levandovski me 3 gola dhe Haland me 2, por ka shqetësim për këtë të fundit pasi u detyrua të zëvendësohej për dëmtim në pjesën e dytë të ndeshjes.

Haland ishte ai që hapi serinë e golave që në minutën e dytë dhe në të nëntën dyfishoi shifrat për skuadrën e tij që dukej në kontroll të plotë të sfidës. Por bavarezët u zgjuan dhe skuadra e Flik diti të reagonte mjaft mirë, duke shkurtuar diferencën e më pas barazuar duelin në fundin e pjesës së parë, në të dy rastet me Levandovskin golashënues.

Sfida ishte e hapur, me raste nga të dy krahët, por në fund ishte Bajerni që u tregua shumë më ngulmues, derisa arriti të shënonte golin e 3-2 me anë të Goretzka kur regjistrohej minuta e 88 e ndeshjes. Në minutën e 90 erdhi edhe vula e Levandovskit i cili plotësoi tregolëshin duke shënuar suksesin 4-2 të skuadrës së tij e cila arriti të kapërcente përsëri Lajpcigun në renditje.

Bajern Mynih-Borusia Dortmund 4-2
27′, 44′ (p), 90′ Levandovski, 88′ Goretzka / 2’, 9′ Haland