VIDEO / Balaj me asist shpëton Shturmin, por kreu largohet gjithnjë e më shumë

Bekim Balaj ka shpëtuar skuadrën e tij nga një humbje që do të dëmtonte ekipin jo vetëm për renditjen në kampionat, por sidomos për moralin, në një sezon kur ekipi i Shturm Grac dukej se mund të ishte mes rivalëve për pozicionet në podiumin e kampionatit. Sulmuesi shqiptar ishte zëvendësues në këtë sfidë, por u tregua vendimtar për barazimin 1-1 të siguruar në shtesën e sfidës kundër Tirol.

Shturm pritej të ishte dominues në këtë ndeshje, por e kishte shumë të vështirë të gjente rrjetën dhe i la iniciativën ekipit vendas. Ky i fundit pa një gol t’i anulohej nga VAR e pastaj kur regjistrohej minuta e 76 gjeti avantazhin me Anselm. Kjo shtyu trajnerin e Shturm Grac të hidhte në fushë Balajn kur regjistrohej minuta e 82-të e ndeshjes.

Sulmuesi shqiptar ia shpërbleu në minutën e 93-të duke ulur me kokë topin për Jeboah, i cili para portierit nuk gaboi duke dërguar sferën në rrjetë për golin e barazimit përfundimtar 1-1 që mban Shturmin në vendin e katërt në klasifikim me 35 pikë. Por tashmë lufta me vendet e para duket e largët, pasi Salcburgu kryesues është 8 pikë larg dhe ka një ndeshje më pak të luajtur, ndërsa edhe Rapidi është 5 pikë larg. /vipsport.al/