Transferimi është kapitull i mbyllur, Rashica: Dua të kthehem përsëri në nivele të larta

Viti 2020 ka qenë shumë i vështirë për Milot Rashicën. Një seri dëmtimesh të kombinuara edhe më dështimin e transferimit të tij në merkato te klubi i Bajer Leverkusen, e ktheu këtë vit në një nga më të hidhurit në karrierën sportive të futbollistit të përfaqësueses së Kosovës. Por duket se lojtari ka kaluar periudhën e tij të errët dhe po mundohet që të kthehet në nivelet e larta me të cilat ka mësuar tifozët.

“I detyrohem shumë këtij klubi. Jam i ndërgjegjshëm që duhet të kthehem të paraqitjet e mia të vjetra për një kohë të gjatë”, shpjegoi Rashica për mediat gjermane. “Fakti që unë nuk arrita të transferohesha është harruar dhe nuk do të luajë asnjë rol në këtë moment”, vijoi ai, duke treguar se tashmë është i fokusuar vetëm te klubi i tij, edhe pse në verë e në dimër kishte tentuar në çdo mënyrë që të gjente një sistemim të ri.

Trajneri i Verderit, Florian Kohfeldt, ka qenë një ndër më të lumturit kur ka filluar të shohë përsëri Rashicën e vjetër në javët e fundit. Nuk është aspak rastësi që ai i thuri elozhe pikërisht sulmuesit të Kosovës pas fitores 2-1 ndaj Eintrahtit. “Miloti ishte i jashtëzakonshëm dhe shumë i mirë në lojën e tij. Duhet përgëzuar për atë që dha në shpejtësi, driblime, si krijoi hapësira për të tjerët dhe si punoi në lojën me apo pa top” ishin lëvdatat për lojtarin e ringjallur në vitin 2021. /vipsport.al/