Trajneri i Legias për Muçin: Ndeshja e fundit tregoi çfarë lige jemi për lojtarët teknikë, kishte pak hapësira

Ernest Muçi tashmë ka luajtur ndeshjen e parë me Legian e Varshavës, teksa tekniku Czesłav Mishnievicz, i dhuroi 45 minuta aktivizim për të gjithë pjesën e dytë në ndeshjen në transfertë ndaj Gornik. 19-vjeçari-vjeçari i solli fat skuadrës duke qenë se pjesa e parë ishte mbyllur 1-1 dhe në fund Legia fitoi me rezultatin, 1-2. Megjithatë, ish-futbollisti i Tiranës, nuk pati mundësinë të tregonte shumë aftësitë e tij pasi nuk ia doli të gjente hapësirat e duhura në fushë. Në lidhje me këtë, trajneri i Legias, Mishnievicz, u shpreh se ai takim tregoi se çfarë lige është Polonia për lojtarët me teknikë si Muçi.

“Nga ata që kanë ardhur nga merkato, sigurisht është më e lehtë që të integrohet më shpejt dikush që ka pasur stërvitje të rregullta. Muçi duket që është në mesin e sezonit, shihet, është i përgatitur fizikisht. Por, ndeshja ndaj Gornik, tregoi se çfarë lige jemi ne për futbollistët teknikë si ai. Do të jetë pak e vështirë në fillim. Ai u përball me ekipin që ka vrapuar më shumë se të gjithë në kampionat, kishte pak hapësira në fushë.

Mendoj se lojtarët që vijnë nga lindja, përshtaten më lehtë se portugezët apo spanjollët. Kjo edhe prej temperaturave. Lojtarë nga Ukraina, Uzbekistani, Shqipëria nuk janë të frikësuar nga klima në fund të shkurtit apo fillim të marsit. Nuk iu vjen si e papritur koha e ftohtë. Është mirë sepse janë lojtarë të ngjashëm me mentalitetin polak. Iu pëlqen të punojnë shumë”, u shpreh trajneri i Legias. /VipSport.al/