Trajneri i Koniaspor, lëvdata për Çikalleshin: Është bërë lojtar skuadre, e meriton formacionin

Një sulmues matet nga golat që shënon dhe pjesa e parë e sezonit për Sokol Çikalleshin ka lënë shumë për të dëshiruar në këtë drejtim. Futbollisti e pa veten shpesh në stol te Koniaspor dhe nuk ishte aq efikas para portës kur aktivizohej. Por me ndryshimin e trajnerit dhe afrimin e teknikut Ilhan Palut, gjërat kanë ndryshuar dhe sulmuesi po luan rregullisht dhe po shënon me vazhdimësinë që kërkohet nga një qendërsulmues.

Për vetë teknikun, në deklaratën para ndeshjes së nesërme kundër Fenerbahçes, ka ardhur momenti që Çikalleshi të jetë i padiskutuar në formacion, pasi është bërë përveç golashënuesit, edhe një lojtar skuadre duke ndihmuar ekipin në fazën mbrojtëse.

“Preferencat e një trajneri mund të ndryshojnë. Sigurisht golat për një sulmues janë të rëndësishëm, por është edhe mënyra se si mbrojmë si ekip. Është shumë e rëndësishme që ai jep gjithçka për skuadrën. Ai është bërë një futbollist për skuadrën dhe ne kemi përfituar shumë prej tij. Tani ai ka ardhur në pikën ku duhet të jetë në formacion” tha trajneri. /vipsport.al/