Tirana do të provojë sërish të bëjë tre fitore radhazi në kampionat, në dy provat e para nuk ia kanë dalë

Tiranës së këtij sezoni i ka munguar më së shumti vazhdimësia. Bardheblutë, nuk e kanë përsëritur dot atë seri rezultatesh pozitive të sezonit të kaluar, e cila në fund iu mundësoi edhe fitimin e titullit kampion.

Andaj, në këtë fazë të kampionatit, bardheblutë e shohin veten në vendin e pestë të klasifikimit me objektivin më të mundshëm kualifikimin në Kupat e Europës pasi kreu është nëntë pikë larg. Për të theksuar sërish pjesën e vazhdimësisë së rezultateve pozitive, ditën e nesërme në ndeshjen ndaj Kastriotit, Tirana do të kërkojë të bëjë për herë të parë në këtë sezon tre fitore radhazi.

25-herë kampionët e kanë pasur mundësinë edhe dy herë më parë gjatë sezonit të bënin tre fitore radhazi, por dështuan njëherë ndaj Skënderbeut kur trajner ishte ende Nevil Dede dhe barazuan 1-1, e njëherë ndaj Kukësit në Selman Stermasi ku u mposhtën 0-2, këtë herë në ndrejtimin e trajnerit Orges Shehi.

Ky i fundit do të kërkojë tashmë të dielën të arrijë këtë objektiv për herë të parë në këtë sezon dhe për të pasur një frymë sa më pozitive për derbin ndaj Partizanit në takimin pasardhës të përcaktuar nga kalendari. Sakaq, me siguri që pas këtyre dy ndeshjeve edhe panorama për atë se çfarë mund t’i marrë Tirana këtij sezoni, do të jetë shumë më e qartë. /VipSport.al/