Starova: Ka vdekur ajo kohë kur jepeshin penallti si e Laçit, gjyqtari nuk e kishte të shkruar në ballë. Prisja Vllazninë më dobët

Sulejman Starova nuk beson te kriza e Vllaznisë, por e sheh skuadrën shkodrane si një pretendente të fortë për titull deri në fundin e këtij sezoni. Drejtori teknik i Teutës, në rolin e opinionistit në “Skaner”, ka argumentuar pse shkodranët do të jenë protagonistë në këtë kampionat edhe në vijim ndonëse nuk kanë qenë në formë të mirë në ndeshjet e fundit.

Ndërkohë, ai është ndalur edhe te dueli i shumëpërfolur mes Kukësit dhe Laçit dhe penalltisë të akorduar nga gjyqtari Klajdi Kola, duke argumentuar se sipas tij ishte paaftësi e gjyqtarit e jo një vendim me dashje për të ndihmuar kurbinasit.

“Kampionati ka rivalitet, se Superiorja me 10 skuadra e garanton këtë luks. Dihet që ka nj grup që investojnë në mënyrë thuajse të barabartë, janë 4-5 skuadra me një buxhet të përafërt, 1 milion euro a 1 milion dollarë. Ajo që të bie në sy në këtë moment është që në ndjekje të Vllaznisë që po reduktohet diferenca nga pikët, kanë qenë stabël Partizani, Laçi, Teuta, e ka pasur variacion Tirana e Kukësi. Me pikët që janë në lojë, edhe ata mund të pretendojnë.

Sipas meje, të 5 skuadrat janë aty-aty, nuk ka diferencë të madhe. Fakti që Vllaznia u shkëput në fillim bëri bujë. Shkodra vuajti atë shkëputje të madhe e që thonë që ka marrë pikiatën. Nuk është e vërtetë. Vllazninë ke për ta pasur deri në fund fare pretendente. Po marr si shembull ndeshjen Partizani-Laçi, që u vlerësua nga më të mirat. Ekipi i Partizanit ndryshoi fytyrë në ndeshjen tjetër. E mora si shembull se janë shumë skuadra që bëjnë ndeshje të mira e të dobëta. Vllaznia filloi duke dhënë shenja që me Apoloninë, barazoi në Korçë, kaloi në avantazh me Tiranën e pësoi gol, në përpjekje për të fituar u kap në kundërsulm e ndodhi ajo që ndodhi. Ndaj Teutës e prisja më dobët, por pashë një skuadër supersolide. Zëvendësimet ishin si lojtarë formacioni. Kuptohet që gjithçka është e lidhur me rezultatin, por unë për vete pashë një skuadër të fortë.

Penalltia e Laçit? Arbitri ka gabuar rëndë, për të gjithë që e shohin. Por ka një problem me atë rastin që diskutuam. Nëse ka dashur të ndihmojë Laçin, mund ta jepte penalltinë që aty, edhe pse ajo është e dyshimtë për të thënë që është. Gjyqtari kur do të të ndihmojë, se ky akuzohet që ka shkuar të ndihmojë Laçin… Ky gjyqtar, nuk mund të thuash që e ka pasur të shkruar në ballë, se po të donte mund ta ndihmonte më parë, me atë penallti të diskutueshme mund ta ndihmonte që aty, mund të ishte penallti. Por ajo penallti është turp, ai është arbitër i paaftë. Në kushtet e Superiores, ka vdekur ajo kohë kur duhet të jepen penallti të tilla”, deklaroi Starova. /vipsport.al/