Shehu: Shqetësuese nëse Kukësi sulmohet në mënyrë të organizuar. Denoncimi i Gjicit tregon si është ndërtuar sistemi

Çështja e denoncimit të Kukësit për gjyqtarin Klajdi Kola dhe “garancitë” që FSHF u kishte dhënë verilindorëve se gjyqtari do të ishte i paanshëm në takimin ndaj Laçit, tregon qartësisht se si funskionon futbolli në vendin tone. Për këtë është i bindur avokati Fation Shehu, i cili në studion e “Rubrika Sportive” tregoi se si e pret vijimësinë e kësaj çështje pasi Kukësi ka vendosur që t’i drejtohet edhe Prokurorisë.

“Kukësi nuk është hera e parë që ankohet këtë sezon. Faktikisht ka qenë viktimë e vendimeve arbitrare në këtë edicion. Ajo deklaratë e Kukësit, sa është e drejtë, aq e vështirë është të gjejë zgjidhje, se jam shumë dakord që Kukësi të ndjekë hapa të mëtejshëm. Problemi është se cilët do të jenë këta hapa të mëtejshëm.

Se nëse Kuëksi gjen çelsin se si mund të ndëshkohen këta gjyqtarë që ndikojnë ndeshet, do të jetë zgjidhje edhe për të gjitha klubet e tjera kur arbitrat të marrin përsipër ta bëjnë një gjë të tillë. Është shumë e nevojshme që një klub të marrë guximin t’i ndjekë në hapa të mëtejshëm. Po sa do të jenë efikas mbetet të shihet.

Ndonjëherë e rëndësishme është të sulmosh fenomenin, po pastaj sa efikas do të jesh brenda kontureve ligjore, ha interpetim. Për mendimin tim, në rastët kur shohim se një arbitër që në mënyrë të drejtpërdrejtë me vendimmarrjen e tij ndikon në rezultatin e ndeshjes, sigurisht që ka të bëjë me shpërdorim detyre.

Nëse e bën me shpërdorim detyre për korrupsion apo jo, është diçka që është shumë e vështirë për ta faktuar. Por që për të parë nëse ka shpërdorim detyre në disa ndeshje të futbollit shqiptar, ajo bëhet fare mirë. Në disa ndeshje bëhet fare mirë faktimi. Ka specialistë gjykimi që mund të dallojnë kur një arbitër ka vendosur të ndikojë një ndeshje apo kur ka vendosur ta mbajë drejt një ndeshje.

I jap të drejtë zotit Gjici kur ka të drejtë dhe në rastin kokret Kukësi është viktimë e arbitrave në këtë edicion. Ka pasur mjaft ndeshje ku kanë qenë disa Klajdi Kola, nuk ka qenë vetëm Kladji Kola. Për mua do të ishte më shqetësuese nëse Kukësi po sulmohet në mënyrë të organizuar, sesa nga guximi i një arbitri që vendosi i vetëm ndeshjen e sotme. Se nëse e keqja do i vijë vetëm nga Klajdi Kola, nuk do e nxjerrë Kukësin nga objektivat. Nëse do kemi Klajdi Kolën si fenomen që përsëritet ndeshje për ndeshje, atëherë Kukësi duhet të gjejë fajtorin diku tjetrë. Ajo që më bëri përshtypje në denoncimin e zotit Gjici, është se tha “folëm para ndeshjes dhe thanë rrini të qetë se Klajdi Kola do ta mbajë drejt”. Tani e kuptoni se çfarë sistemi futbolli ka këtu në Shqipëri kur një president, apo zyrtar klubi, detyrohet të kontaktojë apo telefonojë organet kompetente që ju lutem mbani drejtësi! Dhe ata të garantojnë para ndeshjes që “pa merak se do ta mbajmë drejt”. Ky është sistemi i futbollit. Kjo është për të qarë dhe për të qeshur bashkë.

Si Gjici, edhe 2-3 klube të tjera të Superiores, kanë shpenzime kolosale, sepse është Kukësi, Partizani e Teuta që janë në pjesën më të madhe të aksioneve shoqëri private dhe investimet nuk vijnë nga lekët e bashkisë, janë 100% humbje nga buxheti familjar i atyre që investojë. Ndaj në një situatë të tillë, një individ të të shkaktojë një dëm financiar që kalon në disa raste edhe 1 milionë euro në total, është më shumë se një vjedhje banke.

Për të zgjidhur këtë problem është ajo pyetja që bëhet në fillim të edicionit që sa të aftë janë këto presidentë për të mbrojtur paratë e tyre. Sepse mund të dalësh e denoncosh. Më vjen keq që këtë javë është Gjici, javën tjetër është një tjetër që do të denoncojë arbitrat. Ndërsa ata do të vazhdojnë të vijnë, mbase edhe me krenarinë e paprekshmërisë që kanë pasur deri më sot.

Mund ta çosh në Prokurori se futbolii është veprimtari publike dhe funksioni që ai arbitër bën është brenda një veprimtarie publike. Dhe për sa kohë është veprimtari publike, mund të lindë e drejta të marrësh edhe masa në Prokurori. Uroj që të ketë prokurorë të zellshëm, të zotë dhe të pacënueshëm që ta marrin përsipër sepse është si puna e “Kutisë së Pandorës’, mjafton të hapet. Po u hap, vazhdon historia pastaj. Nis nga një arbitër dhe kushedi ku përfundon”, tha Shehu. /vipsport.al/