Shehi: Skuadra nuk është akoma në 100%, nuk duhet të mendojmë humbjen apo barazimin

Tirana pret nesër në shtëpi Bylisin, një kundërshtar të cilin në këtë sezon bardheblutë ende nuk e kanë mundur. Ndërkohë, në konferencën për shtyp, trajneri i kryeqytetasve, Orges Shehi shprehet se se ekipi ende nuk është në 100%, ndërsa shton se në fushë nuk duhet të futen me mendje te humbja apo barazimi.

SFIDA NDAJ BYLISIT- Personalisht jam i mendimit që nuk ka kundërshtar të lehtë, sidomos në këtë vazë të Kategorisë Superiore që skuadrat janë me objektiva të qarta. Nuk është ndeshje e lehtë, është një ndeshje që do vlerësim maksimal.

GJENDJA E SKUADRËS- Skuadra akoma nuk është në 100%, kemi mungesa. Najdovski akoma nuk është bashkuar me skuadrën, po ashtu dhe Danso për arsye shëndetësore që dihen tashmë. Kemi dhe pak probleme me Torasën dhe Kalenë sepse nga ana fizike nuk janë në 100%. Por, lojtarët që u futën në fushë ndaj Vllaznisë, mendoj që e përligjën besimin dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë rritëm.

OBJEKTIVI- Futemi në fushë për të dhënë dhe marrë maksimin nga ndeshja. E dimë shkallën e vështirësisë, por kurrsesi nuk duhet të mendojmë humbjen apo barazimin, duhet të mendojmë atë, që ne duhet të japim 100% tonë në fushë. Se çfarë prodhon fusha është një tjetër gjë. Jemi në një situatë që pikët janë të domosdoshme, do të luftojmë shumë për t’i marrë ato.

MUNGESA E VAZHDIMËSISË- Unë mendoj që në drejtim tim skuadra është shfaqur mirë, përveç ndeshjes me Teutën, që nuk ishim vetvetja. Ishte një ndeshje për t’u harruar. Me Kukësin nuk morëm atë që merituam. Duhet të vazhdojmë me këtë dëshirë, përqendrim dhe impenjim, për të bërë mirë dhe për të marrë vazhdimësinë që është shumë e nevojshme.

ASNJË FITORE NDAJ BYLISIT KËTË SEZON- Po luajmë përpara një kundërshtari që s’kemi fituar asnjë ndeshje dhe do të bëjmë çështje e mundur që ta fitojmë ndeshjen. Kundërshtarë që këto javët e fundit po bën mirë, çka ja vështirëson manovrën ekipit dhe mënyrën si do të luajë. Bëhet e vështirë ndaj një kundërshtari të tillë. Terreni mendoj që në këtë kohë të tillë, besoj do të jetë në gjendje optimale. Shpresoj të jetë në gjendje të mirë që edhe skuadra të shprehet mirë.

SEFERI SHPËRDORON PARA PORTËS – Për mendimin tim, ja kam thënë dhe atij, është një nga lojtarët tanë kryesor. Jo më kot u zgjodh lojtari i ndeshjes me Vllazninë, për atë që i dha skuadrës. Sigurisht që sulmuesi edhe raste do të humbi, por kur prodhon shumë dhe mban mbrojtjen gjithmonë në tensionon dhe kur shërben unë besoj se ka bërë mirë. Dha asistin te goli i dytë i Kale. Ka shënuar 2 gola. Kam besim te aftësitë e tij. Shpresoj që nesër ai të shënojë, për të marrë atë që krijon.

RIKTHIMI I ENTUZIAZMIT- Fitorja ishte shumë e rëndësishme, për momentin ku ishim. Një fitore që duhet të na shërbejë për vazhdimësinë. Në qoftë se nuk fitojmë ndeshjen e radhës gjithçka shkon dëm.

TITULLI KAMPION- Duhet të shikojmë ndeshjen e radhës. Të rikuperojmë pikët dhe të shikojmë të arrijmë atë që kemi përpara. Pastaj në fund fare bëhet llogaritë. Gara është e gjatë, ka shumë pikë në lojë, por duhet t’i marrim ndeshjet 1 nga 1”, u shpreh Shehi. /VipSport.al/