Shehi: Fokusi është vetëm te ndeshja e nesërme, lojtarët janë rikthyer por nuk janë në 100%

Tirana luan nesër ndaj Kastriotit në transfertë ku bardheblutë për herë të parë në këtë sezon do të kërkojnë të bëjnë tre fitore radhazi. Ndërkaq, në konferencë për shtyp, trajneri Orges Shehi u shpreh se fokusi do të jetë vetëm te krutanët dhe jot e ndeshja pasardhëse që është ndaj Partizanit. Ndër të tjera, Shehi tha se lojtarët janë rikthyer por nuk janë në 100%.

-Kalendari ju përball me ekipin e Kastriotit, si e shihni këtë sfidë?

Kalendari javë pas jave na përball me skuadra që janë brenda objektivave, është një skuadër që ka bërë shumë mirë dhe sigurisht është ndeshje e vështirë dhe shumë e rëndësishme për ne.

-Si paraqitet gjendja e grupit?

Grupi po plotësohet pak nga pak, ndonëse disa lojtarë nuk janë akoma në 100% e vet por e rëndësishme është që janë rikthyer në gjirin e skuadrës dhe po stërviten me skuadrën.

-Loja bëhet agresive, a ju trembin dëmtimet në prag të derbit?

Çdo skuadër ka mënyrën e vet të lojës. Një skuadër mund të jetë agresive brenda kornizave të lojës, pra ajo skuadër që ka shpirt luftarak.

-Këtë sezon nuk ka patur 3 fitore rradhazi, ka shansin për të bërë dicka të tillë dhe për tu rikthyer në Europë?

Në statistika ndoshta mund të jetë e vërtetë që nuk kemi patur 3 fitore radhazi, është mundësia për të shtuar pikë dhe për t’ju afruar objektivave që kemi. Do të futemi në fushë për të dhënë maksimumin dhe për të marrë maksimumin.

-Shumë lojtarë janë me kartonë, ju tremb fakti që ju mungojnë emra të rëndësishëm prag derbi?

Kampionati i tillë është, gara e tillë është, do të kemi edhe mungesa, por do të fokusohemi tek ndeshja e nesërme dhe nuk mendojmë për ndeshjen e ardhshme, fokusi është tek takimi i së dielës, pa marrë parasysh sesi do luajmë javën tjetër.

-Rikthehet Batha dhe Najdovski. I mendoni në formacion?

Siç e thashë edhe më parë, lojtarët janë rikthyer por jo në 100% e tyre. Nesër do të mendojmë lojtarët që do të hedhim në fushë. E rëndësishmë është që lojtarët që do të dalin të jenë në formën e tyre më të mirë.