Ndreu: Pretendentët bëhen shumë agresivë për pikët, por besoj te fitorja me Tiranën

Ramadan Ndreu, trajneri i Kastriotit, e sheh ndeshjen me Tirënën si nj tjetër sfidë ku skuadra e tij duhet të impenjohet maksimalisht për të marrë pikë që në këtë moment janë të rëndësishme për të shtuar qetësinë me pozitën e siguruar në klasifikim. Tekniku i krutanëve, duke folur para ndeshjes me bardheblutë, theksoi se tani ndeshjet do të bëheshin më të vështira, por përsëri kishte besimin se ekipi i tij mund të merrte tri pikët ndaj kujtdo.

“Ndeshja në Korçë ishte shumë e rëndësishme. Fati ishte me ne që morëm edhe pikët, u’a bëmë hyzmetin që ditën e parë të stërvitjes, pasi e dinim që do të ishte një ndeshje shumë e vështirë, dhe se kundërshtari do të jepte maksimumin, pasi nuk kishte se çfarë të humbte. Zhvilluam një paraqitje të mirë, dhe arritëm atë që ne kërkonim, fitoren. Tashmë jemi më të qetë, por jo se ka mbaruar, pasi kampionati është i gjatë dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm.

Tirana? Kuptohet, ndeshje shumë e vështirë, por do të them që pas fitores në Korçë, që ishte një tre pikësh shumë i rëndësishëm, që na dha dhe qetësi, na jep siguri, na bën që të jemi më të qetë, që do të thotë luajmë më lirshëm. Jo se gjithçka ka mbaruar, pasi kampionati ka dhe 14 javë, që po t’i shumëzojmë janë dhe 42 pikë, ndaj dua të them që lufta vazhdon, duhet të jemi shumë të kujdesshëm në çdo ndeshje pasi kampionati sa vjen e bëhet më i vështirë. Skuadrat që janë në krye, ndoshta që të jem i sinqertë e kanë nivelin më shumë se ne, bëhen shumë agresive për të marrë pikët, ndaj edhe me Tiranën do të jemi shumë të kujdesshëm, do të mbrohemi mirë, por luajmë në fushën tonë dhe mendoj që do jemi te ato lojërat e mira që kemi zhvilluar gjithmonë. Ndaj kam besim se do të fitojmë dhe këtë ndeshje.

Padiskutim të gjithë lojtarët janë në nivel të mirë, kemi disa mungesa të vogla, të cilat na kanë bërë të ndryshojmë diçka që në ndeshjen Korçë, dhe ata që u aktivizuan bënë mjaftë mirë, pasi ishin të kujdesshëm, të vendosur mirë, taktikisht, teknikisht dhe vrapuan shumë. Të njëjtat mungesa kemi dhe këtë javë, por që i është shtuar dhe Moraes, ndaj edhe ata lojtarë që do marrin pjesë në këtë ndeshje, do japin maksimumin, do vrapojnë shumë, dhe në këtë ndeshje që vjen, dua të them që mendoj që përparësia jonë do të jetë vrapimi. Kemi lojtarë me eksperiencë dhe të rinj të talentuar që kanë energji, kanë vrull dhe dëshirë, ndaj kam besim absolut se në këtë ndeshje do të dalim me fitore.

Kam thënë që formacioni nuk ndryshohet? Është e vërtetë që kam deklaruar dhe i qëndroj asaj që kam thënë, por kur ndeshjet janë një herë në javë. Ndërsa kur ka ndeshje dhe në mesjavë dhe në fundjavë duhet padiskutim ta freskosh, pasi nuk e kemi akoma kapacitetin mjekësor për të mbajtur lojtarët të freskët në çdo ndeshje. Prania e ndeshjeve të mërkurë të shtunë, duhet padyshim të ndryshosh duke i dhënë mundësi atyre që kanë luajtur më pak, por kanë energji, janë të freskët. Ndaj edhe në Korçë, pata deklaruar që dy-tre pozicione do ti ndryshoja dhe na rezultoi shumë mirë. Dhe në këtë ndeshje, do ti bëj dy-tre ndryshime, sepse kemi fatin që 15-16 lojtarë i kemi aty-aty, ndaj na jepet mundësia që ti ndryshojmë, ndaj ata që do marrin pjesë, ashtu siç vepruan në Korçë, edhe këtu do zhvillojnë ndeshje të mirë. Do doja të thoja që në futboll është shumë e rëndësishme që të hysh në lojë, dhe të jesh 100% i mobilizuar, nëse ti mobilizohesh 100% dhe jep maksimumin është gjithçka më e lehtë në fushë”, tha Ndreu. /vipsport.al/