Ndreu: Në Korçë shkojmë për të luftuar, shumë trajnerë justifikohen për mungesat

Kastrioti do të udhëtojë ditën e nesërme për në Korçë, ku i pret sfida me Skënderbeun. Krutanët kanë tre ndeshje pa fituar, ndaj kërkojnë të ndryshojnë situatën për të qëndruar edhe më të qetë në mesin e tabelës. Para kësaj sfide, trajneri Ramadan Ndreu thekson për mediat se ndaj Skënderbeut duan maksimumin dhe se do të luftojnë për ta marrë atë. Sakaq, Ndreu prek edhe mungesat në organikë ku shprehet se nëse ka një ekip që është penalizuar nga mungesat, atëherë ai është ekipi i tij.

“Do japim maksimumin, do shkojmë në Korçë për të dhënë më të mirën, për të siguruar pikët që janë jashtëzakonisht të rëndësishme sepse kampionati është shumë i fortë dhe çdo ndeshje që kalon ashpërsohet më shumë. Prandaj, me shumë zë të lartë them se do të shkojmë në Korçë për të luftuar dhe për të marrë maksimumin”.

3 ndeshje pa gola- “Mundohemi që lojën ta shpërndajmë në anësore me Rezin dhe Bardhin, sepse të kërkosh nga një lojtar që kemi ne (Devid), shumë i mirë, duhet ta masësh me sa topa anësorët i kanë dhënë. Por, nuk e kanë pasur akoma atë formën aënsorët se vijnë pas dëmtimeve, kështu shpresoj në të ardhmen. Se dihet loja është me krahët që në pjesën e parë të kampionatit na ka dhënë rezultat”.

Mungesat- “Ka shumë trajnerë që justifikohen për mugesa. Nëse ka skuadër që ka mungesa jemi ne. Në këto moment kemi Hysenin është larguar që në janar, Henri që pas janarit nuk luajtur asnjë ndeshje, përveç pak minutave me Tiranën, kemi Bojom i dëmtuar, kemi edhe Plakun që është larguar. Nëse themi për dëmtime dhe mungesa, ne kemi pasur më shumë se skuadrat e tjera”, u shpreh Ndreu. /VipSport.al/