Ndreu “kërcënon” Tiranën: Nëse i vlerësojmë, marrim pikë ndaj çdo kundërshtari

Ramadan Ndreu është i bindur se skuadra e tij nuk duhet të ulë ritmin, por të vazhdojë me të njëjtin vrull, ndonëse është shkëputur nga skuadrat e fundit të tabelës. Tekniku i Kastriotit, në një prononcim për RTSH Sport paralajmëroi ekipin se nëse ndodhte e kundërta, rrezikohej seriozisht edhe dështimi.

“Ishim përgatitur gjatë javës me shumë kujdes për të shkuar në Korçë për të dhënë më të mirën e mundshme, morëm tre pikë që janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Do të na ndihmojnë në klasifikim. Nëse ti nuk je vigjilent, nëse ti nuk merr masat, nëse bën 3-4 hapa fals dhe 2-3 hapa të kundërshtarit, ai afrohet dhe hyn në tension dhe ndodh ajo që ka ndodhur në futboll që edhe të dështosh. Kështu që ne absolutisht do të jemi shumë kërkues në të gjitha stërvitjet, në çdo ndeshje për të marrë maksimumin e pikëve”, tha Ndreu.

Përballja e radhës është me Tiranën, një kundërshtar për të cilin ai shpreson që skuadra të ketë përqendrimin dhe vlerësimin e duhur.

“Nuk ka lidhje fare kalendari por sa i mobilizuar do të jesh ti. Të gjitha ndeshjet e kundërshtarët janë shumë të fortë. Ne kemi treguar që nëse japim maksimumin e i vlerësojmë marrim pikë me të gjitha skuadrat”, paralajmëroi Ndreu. /vipsport.al/