Ndodh vetëm në Shqipëri / Moriero: Kam dhënë dorëheqjen; Dinamo: E shkarkuam për mospërputhje idesh!

Futbolli shqiptar dhuron çudi nga më të ndryshmet dhe ajo që ka ndodhur sot te klubi i Dinamos ka qenë me të vërtetë e çuditshme. Françesko Moriero nuk do të jetë më në stolin e bluve, të cilët do të kthejnë sytë nga trajnerët shqiptarë dhe së shpejti do të emërojnë një emër të ri në stol. Deri këtu nuk ka asgjë të çuditshme, por e tillë bëhet kur sheh se si e kanë interpretuar palët këtë situatë.

I pari që reagoi ishte Françesko Moriero, i cili nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ishte i pari që bëri të ditur largimin nga klubi kryeqytetas. “Në ditën e sotmë, Françesko Moriero, Fabricio Mikoli dhe Kristian Parabita, kanë dhënë dorëheqjen nga detyra përkatësisht si trajner i skuadrës së parë, zëvendëstrajner dhe përgatitës atletik. Trajneri dhe i gjithë stafi falënderojnë lojtarët për entuziazmin e treguar nga ata në këto pak muaj. Atyre u urojmë një fat sa më të mirë në aspektin profesional dhe njerëzor. Një falënderim edhe për qytetarët dhe tifozët e Dinamos për mikpritjen në këtë eksperiencë, edhe pse të shkurtër”, shkruhej në mesazhin e Morieros sot pasdite.

Qëndrim që me sa duket nuk ndahet nga klub i Dinamos, i cili ka bërë të ditur fillimisht për mediat italiane që po pasqyronin gjerësisht këtë lajm, se nuk bëhej fjalë për një dorëheqje, por për një shkarkim nga puna të dy ish-futbollistëve të njohur italianë.

“Klubi Dinamo Tirana njofton shkarkimin e trajnerit të ekipit të parë, Françesko Moriero dhe të asistentit të tij Fabricio Mikoli. Shkarkimi erdhi si pasojë e mospërputhjeve të ideve mes trajnerit dhe stafit drejtues, që ka synim të menjëhershëm ngjitjen në kategori për të çuar sa më lart emrin e klubit. Klubi falënderon dy trajnerët për gatishmërinë që treguan dhe i uron atyre një vazhdimësi të mbarë të karrierës”, ishte komunikata e Dinamos. /vipsport.al/