Musta: Ardhja e Duros i dha impulse pozitive Laçit, jemi në rrugën e titullit

Në Superiore tashmë bën pjesë te ata lojtarët me shumë eksperiencë, duke qenë se ka provuar që të luajë në gjashtë ekipe të ndryshme, madje edhe nga ata që kanë luftuar për titullin kampion. Fillimisht me Elbasanin e Shkumbinin, e më pas në Durrës, Partizani, Kukësi e Laçi. Bëhet fjalë për Emiljano Mustën, anësorin elbasanas që tashmë është në kulmin e formës së tij dhe këtë po e tregon edhe në radhët e skuadrës së Laçit, pjesë e së cilës është aktualisht…

Në një intervistë për “Sport Magazine”, në RTV “Ora News”, futbollisti i Laçit Emiljano Musta foli për ëndrrën titull por edhe për momentin që po kalojnë bardhezinjtë. “Ambjenti dhe atmosfera është shumë e mirë në ekip. Entuziasmi është në maksimum pasi po bëjmë shumë mirë këto javët e fundit në kampionat“, – tha futbollisti i kurbinasve.

I pyetur për teknikun Shpëtim Duro, Musta u shpreh: “Presor Duro, dihen vlerat që ka. Ka vite që e njeh Superligën dhe ka gjetur, do thoja unë, pikat e dobëta që kishte ekipi jonë. Qetësia që na mungonte. Me ardhjen e presor Duros secili është në punën e tij dhe ndjehemi mjaft të qetë. Rezultatet tregojnë se ai po bën shumë mirë me ekipin tonë. Besoj se ardhja e tij te Laçi i dha akoma më shumë ekipit, atë seriozitetin dhe impulsin që i mungonte pasi vinim pas disa rezultatesh jopozitive. Shumë prisnin gjëra të mëdha nga ne. Edhe ju mediat na kishit etiketuar si ekipi pretendent për titull kampion dhe besoj se tani jemi në rrugën e duhur. Kjo falë edhe presor Duros dhe stafit që i qëndron nga pas”.