Mungesë e sigurt në “ndeshjen e tij”, Strakosha përsëri nuk stërvitet

Ndeshja e kësaj jave mes Juventusit dhe Lacios do të humbasë një nga protagonistët e këtij dueli në vitet e fundit, Thomas Strakoshën. Portieri shqiptar ka qenë një nga emrat më të spikatur në këtë sfidë që kur mori vendin e Marketit mes shtyllave te lacialët, pro problemet fizike po e pengojnë që të kthehet në fushë e të japë kontributin e tij.

Strakosha ishte kthyer në fundjavë në stol, pas një dëmtimi të gjatë që e kishte lënë për dy muaj jashtë fushave të lojës. Por me sa duket ai ka ndjerë përsëri shqetësime për shkak të ngarkesës fizike e kësisoj, në seancën e sotme stërvitore ka munguar.

Sipas mediave italiane, kjo mungesë e konfirmuar nga Lacio, bën të sigurt mospraninë e tij në duelin ndaj Juves që praktikisht do të ndajë fatin e Lacios dhe objektivin për të cilën mund të luajë skuadra bardhekaltër. Strakosha ka qenë një nga pikat e forta në duelet e kaluara me Juventusin duke ndihmuar ekipin e tij të fitonte disa sfida, e duke dhuruar paraqitje mbresëlënëse me pritjet e tij, mes të cilave edhe penallti. /vipsport.al/