Muça: Vllaznia është e tronditur, duhej të markonin më mirë Seferin

Vllaznia gaboi në ndeshjen e fundit të Superiores teksa u mposht në shtëpi nga Tirana me rezultatin 1-2. Shkodranët lanë sërish pikë të rëndësishme dhe ndjekësit e drejtpërdrejtë si Teuta, Partizani dhe Laçi i fituan nga një pikë. Ndërkaq, sfidën e Loro Boriçit e ka komentuar edhe Shkëlqim Muça, i cili thekson se Vllaznia është e tronditur ndërsa shton se kuqeblutë duhej t’i kishin marrë më mirë masat për të markuar Taulant Seferin.

“Ishte një avantazh që duhej ta administronte. Ai goli i shpejtë i barazimit i tronditi. Ishte gabim fatal i protierit, Tirana e meritoi fitoren. Vllaznia është e tronditur. Disa lojtarë që i zëvendësojnë me të tjerë dhe këta nuk janë në ritmin e duhur. Ka shumë probleme në mbrojtje. Lë shumë hapësira kur është disavantazh. Është gabim kur zëvendësojnë Krymin, sepse ekipi çekuilibrohet. Krymi e mban ekuilibrin mes mbrojtësve të qendrës. Kur del Krymi, bëhet gropë e madhe.

Tirana ka sulmues të shpejtë si Seferi që e kapi mbrojtjen e Vllaznisë, 2-3 herë në befasi. Tirana bëri ndeshje inteligjente, shfrytëzoi mirë hapësirën. Vllaznia duhej ta interpretonte më mirë ndeshjen, sepse Tirana është e fortë në sulm me Seferin. Duhej ta kishte përgatitur më mirë ndeshjen për ta markuar këtë lojtar. Nuk më pëlqen ta quaj Vllazninë të shpartalluar. Është një moment i vështirë. Prapë mendoj se është përpara. I ka mundësitë të administrojë rezultatin më mirë”, u shpreh Muça. /VipSport.al/