Mikoli tregon “provat” e dorëheqjes, sulm Pontrelit: Nuk u paguam! Gjithçka se Moriero nuk përshëndeti presidentin

Deklarata e klubit të Dinamos se Françesko Moriero dhe Fabricio Mikoli ishin shkarkuar nga blutë si dhe fjalët e presidentit Pontreli se nuk kishte kohë të merrej me emra, nuk është kapërdirë lehtësisht të paktën nga Mikoli, i cili nëpërmjet mediave italiane ka treguar versionin e tij rreth kësaj ngjarje.

“Nuk ishin kushtet për të vazhduar, kohët e fundit nuk kemi marrë para, në fakt kemi humbur. E jona ishte një zgjedhje pasioni dhe për të krijuar eksperiencë”, tha Mikolit për “TMË” ndërsa konfirmoi se ishte drejt kthimit në Itali. Ai i ofroi portalit në fjalë edhe shkresën e dorëheqjes së sotme, duke shpjeguar pse kishte ndodhur reagimi i Dinamos.

“Kemi dhënë dorëheqjen. Gjithë ky konfuzion ka lindur nga fakti se trajneri Moriero nuk përshëndeti presidentin. Por nëse kemi dhënë dorëheqjen qartësisht do të thotë se diçka nuk shkon. Edhe ne nuk kemi kohë që të humbasim, por kemi humbur dy muaj. Dhe nëse do të kisha menduar për emrin, nuk do të kisha shkuar në kategorinë e dytë shqiptare”, tha Mikoli duke i khtyer përgjigje në distancë Pontrelit.

Megjithatë, ai është larguar nga Shqipëria me përshtypje të mira. “Ishte një eksperiencë mësimore. Kemi njohur djem të shkëlqyer. Por pyes veten pse të mbyllësh eksperiencën duke krijuar konfuzion apo humbur kohë? Ne jemi njerëz që duam të punojmë, jemi njerëz të mbarë”, ishin fjalët e ish-sulmuesit të Italisë. /vipsport.al/