Largimi i Morieros, flet Pontreli: Dinamo është më e madhe se emrat e përveçëm. Trajneri i ri nga familja dinamovite

Largimi i Françesko Morieros nga drejtimi i Dinamos, duket se ka ardhur nga një krisje mes tij dhe presidentit Marko Pontreli. Ky i fundit, nëpërmjet një postimi të shkurtër që është shfaqur në faqen e klubit në Instagram, ka lënë të kuptohet se historia e klubit ishte më e rëndësishme se e çdo individi.

Ndërkohë, në këtë postim, bëhet e qartë gjithashtu se tashmë blutë do të kthejnë sytë përsëri nga trajnerët shqiptarë, sidomos ata që kanë dalë nga shkolla dinamovite e cila ka përgatitur emra të njohur.

“Dinamo nuk ka kohë për të humbur dhe për të folur. U japim mbështetje trajnerëve shqiptarë, atyre që janë rritur nga familja Dinamovite.

Dinamo është më e madhe se emrat e perveçëm. Forca Dinamo!”, ishin fjalët e Marko Pontrelit në këtë status të publikuar nga klubi kryeqytetas. Tani mbetet të shihet se kush do të jetë trajneri dinamovit që do të ulet në stolin e kësaj skuadre, për të vazhduar punën e lënë në mes me ekipin i cili ka si objektiv kryesor kthimin në elitën e futbollit shqiptar. /vipsport.al/