Lajme të mira për Shqipërinë para ndeshjeve të Botërorit, Borusia i bllokon yllin Anglisë

Situata me COVID-19 do të krijojë padyshim vështirësi për ekipet kombëtare në të gjithë kontinentin por për kombëtaren shqiptare, mund të sjellë lajme të mira. Për ndeshjet e muajit mars, kuqezinjtë pritet të kenë një telash më pak sa i përket supersfidës me Anglinë, e cila do të vizitojë “Air Albania”.

Mediat angleze janë të bindura se Anglisëe do t’i mungojë një nga yjet e saj në këtë sfidë, pasi klubi i tij nuk do ta lejojë që të udhëtojë drejt Shqipërisë, që vlerësohet si vend i rrezikshmërisë së lartë për shkak të COVID-19. Anglia ka arritur të sigurojë një leje të veçantë nga qeveria e saj për të udhëtuar drejt vendit tonë pa pasur nevojë që të bëjë karantinën në kthim. Por shtet të tjera nuk janë kaq mirëkuptuese dhe do të zbatojnë me rigorozitet rregullat, duke kaluar futbollin në plan të dytë para shëndetit publik.

Kështu, shteti gjerman nuk do të bëjë përjashtime karantine për ata persona që në dy javët e fundit kanë qenë në vendet e “kuqe” sa i përket emergjencës së COVID-19. Për këtë arsye, klubi i Borusia Dortmund, i ka bërë të qartë Federatës Angleze se për momentin nuk planifikon që të lejojë Xhedon Sanço dhe Xhud Bellingem që të marrin pjesë në eliminatoret e Botërorit  në mars, për të evituar karantinimin e tyre pas kthimit, pasi kjo do t’i linte për shumë kohë jashtë fushave të lojës në një pikë delikate të sezonit.

Padyshim që ky është një telash më pak për trajnerin Reja, duke llogaritur se Sanço është një nga shtyllat e lojës ofensive të Anglisë dhe mungesa e tij mund t’i jepte pak më shumë frymëmarrje prapavijës kuqezi në këtë ndeshje delikate. /vipsport.al/