Kuman nuk duron më: Boll me pyetjet për të ardhmen, vendos presidenti i ri

Ronald Kuman është mërzitur duke dëgjuar gjithnjë të njëjtat pyetje rreth të ardhmes së tij, nëse do të vazhdojë në stolin e Barcelonës apo do të largohet në verë. Trajneri ka edhe një vit tjetër kontratë me katalanasit, por është i ndërgjegjshëm se me një president të ri, gjërat mund të ndryshojnë e ai do të jetë i detyruar t’i japë lamtumirën asaj që e ka cilësuar si punë e ëndrrave e për të cilën braktisi drejtimin e përfaqësues së Holandës.

Megjithatë, kjo situatë duke dëgjuar vazhdimisht të njëjtat pyetje, e ka mërzitur trajnerin, siç e la të kuptohej qartësisht në konferencën e sotme për shtyp.

“Zërat janë një gjë normale në futboll, njerëzve u intereson që të përmendin emra që të krijojnë polemika. Për mua nuk është problem, unë mendoj për punën të cilën duhet ta bej mirë. Kuman, Çavi, Arteta… Për pak ditë do të kemi president të ri, ai do të vendosë se kush do të jetë trajneri i ekipit. Unë për vete jam mërzitur duke iu përgjigjur pyetjeve të tilla”, tha tekniku në konferencën para ndeshjes me Osasunën. /vipsport.al/