Kombëtarja e futsallës/ Kuqezinjtë marrin fitoren e parë në kualifikuese, mposhtin Danimarkën

Shqipëria e futsallës ia ka dalë të marrë pikë të plota nga salla Feti Borova duke mposhtur me rezultatin 3-2, Danimarkën. Një lloj hakmarrje kjo e të besuarve të trajnerit Erind Resuli duke qenë se danezët dje e mposhtën kombëtaren me rezultatin 1-3.

Sa i përket ndeshjes, ajo nisi në mënyrën më të mirë për Shqipërinë duke qenë se në 12 minutat e para e gjetën dy herë rrugën e rrjetës. Fillimisht, shënoi Selmani me një aksion personal dhe vetëm dy minuta më pas, Halimi dyfishoi shifrat. Danezët nuk mundën të reagonin në pjesën e parë, ndërkohë që në fraksionin e dytë, sërish Selmani gjeti edhe golin e tretë dhe u duk se takimi përfundoi.

Por, kundërshtarët në minutat e fundit rihapën sfidën dhe shënuan dy herë, gjithsesi pa mund të ndryshojnë fatet e përballjes. Kështu, kuqezinjtë pas tre humbjeve marrin fitoren e parë në këtë fushatë eliminatore për Europianin 2022. /VipSport.al/