Kategoria e Parë, B/ Egnatia nuk e diskuton Turbinën dhe afrohet me Superioren, Flamurtari për notën 4

Në ndeshjet e sotme të Kategorisë së Parë në Grupin B, Egnatia ia ka dalë të fitojë pa shumë vështirësi ndaj Turbinës me rezultatin 4-1. Të besuarit e trajnerit Gugash Magani, zhbllokuan ndeshjen në minutën e 28 me anë të Artur Maganit, ndërsa miqtë barazuan me anë të Jaupaj 10 minuta më vonë. Megjithatë, rrogozhinasit të vendosur për objektivat e tyre realizuan sërish para fundit të pjesës së parë me anë të Shtubinës, ndërsa në fraksionin e dytë, Artur Magani realizoi sërish.

Pas këtij moment, ndeshja mori rrjedhën e duhur për Egnatian që në minutën e 59, shënoi edhe të katërtin me Shytin. Pas kësaj ndeshje, Egnatia është në kryesim me nëntë pikë para ndjekësve të Tomorit dhe duket se është në rrugën e duhur për në elitë. Nga ana tjetër, Turbina mbetet në vendin e gjashtë me 14 pikë. Ndërkohë, Tomori fitoi thjeshtë me Flamurtarin me rezultatin 4-0. Vlonjatët nuk ia dalin të reagojnë, ndërkohë që për beratasit shënoi Camko dy herë, Pepa dhe Oshafi.

Tomori renditet aktualisht në vendin e dytë, ndërsa kuqezinjtë janë në vendin e shtatë me shtatë pikë. Ndërkaq, në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Pogradeci mposhti 1-2 Elbasanin. Për liqenorët shënuan Dragoi dhe Dushaj, ndërsa për vendasit realizoi Balduino. Situata për elbasanasit mbetet e rëndë pasi janë ende në kuotën e zero pikëve, ndërsa nga ana tjetër, Pogradeci është në vendin e katërt me 19 pikë, po aq sa edhe Besa e vendit të tretë. /VipSport.al/

Ndeshjet:

Elbasani-Pogradeci 1-2
Shënues: 29’Balduino/ 10’Dragoshi, 62’Dushaj

Tomori-Flamurtari 4-0
Shënues: 35’Camko, 40’Pepa, 65’Camko, 72’Oshafi

Egnatia-Turbina 4-1
Shënues: 28’Magani, 45’Shtubina, 53’Magani, 59’Shyti/ 38’Jaupaj