Kasano: Interi nuk luan mirë, rri mbrapa dhe i hedh topin Lukakut. Ishte qesharak në Champions

Antonio Kasano mendon se Interi është skuadra më e fortë në Itali, por nuk është ajo skuadra që po prodhon futbollin më të mirë në kampionat. Sipas ish-sulmuesit i cili ka veshur fanellën e zikaltërve, ka kritikuar mënyrën se si luan ky ekip, pasi thekson se e ka të pamundur aktualisht të përballet me më të mirët në kontinent.

“Interi ka gjetur qëndrueshmëri të madhe. Skuadra që luan futboll nuk është Interi, është Atalanta. Interi ka dhjetë lojtarë pas linjës së topit, kur luan nga mbrapa mundohet që të lejojë presingun e kundërshtarëve, hedh topin te Lukaku dhe përmbyset e gjithë situata.

Me fushë të hapur, me Lukakun e Lautaron, plus Hakimin që është në gjendje të mirë, të shqyejnë. A është Interi më e forta? Po. A e fiton titullin? E ka detyrim. A luan mirë? Jo. PSG luan me të gjithë lojtarë cilësorë. Apo Liverpuli… Bëje provë e luaj me 4-3-3 të Liverpulit. Lacio është një skuadër e shkëlqyer në Itali, por nëse luan kundër Xhenoas e Sasuolos është e lehtë. Nëse Interi shkon të luajë me ato 5-7 skuadra në Europë… Interi ishte qesharak në Champions”, tha Kasano për ish-skuadrën e tij. /vipsport.al/