Kamarata: Shoh se skuadra është e gjallë, nëse luajmë kështu mund ta arrijmë objektivin

Apolonia, edhe mund të fitonte në ndeshjen e sotme ndaj Partizanit ku udhëhoqi sfidën për pjesën më të madhe të kohës, megjithatë në fund përballja ndaj të kuqve u mbyll në barazim 1-1. Në prononcimin për Supersport, trajneri i fierakëve, Fabricio Kamarata gjithsesi është i kënaqur dhe thekson se nëse ekipi luan gjithnjë kështu, atëherë objektivi mbijetesë është i realizueshëm.

“Jam i lumtur me barazimin se kemi luajtur kundër një skuadre të madhe. Djemtë kanë bërë ndeshje të mirë, ishim në avantazh, shpresonim se mund të fitonim. Por e rëndësishme është që vazhdojmë, jemi të lumtur edhe kështu.

Kjo duhet të jetë forca jonë, duhet të mendojmë se janë të gjitha finale, edhe pse me respekt ndaj kundërshtarëve duhet të bëjmë sa më shumë pikë, nëse luajnë kështu djemtë, mund të arrijmë objektivin që duam”.

Mungesa e fitoreve? “Ajo mungon, e provuam sot, për djemtë mund të jetë e rëndësishme se përfaqëson një ndryshim ritmi. Por, unë shoh që skuadra është e gjallë dhe mund të reagojë dhe ndoshta fitorja është çështje kohe.

Më vjen keq se për golin që kemi pësuar, dua të rishoh edhe një herë atë rivënien anësore. Kam keqardhjë për këtë, sa u përket zëvendësimeve, jam i kënaqur se ato detyra që u dhashë  arritën t’i zbatonin”, u shpreh Kamarata. /VipSport.al/