Josa: Penalltia ndikoi në humbjen e Kukësit, na goditi arbitri në momentin më të mirë

Mirel Josa ndalet te penalltia e dyshimtë e skuadrës së Laçit që u kthye në gol dhe u dha fitoren kurbinasve, por jo vetëm. Sipas Josës, skuadra duhet që të bënte më shumë në këtë sfidë duke ditur kundërshtarin që kishte përballë, ndërsa gjykimi ka ndikuar…

“Problemi është që nuk duhet të shkojmë direkt te ai rast. Ka njerëz të tjerë që merren me këto probleme. Unë do ta komentoja ndeshjen e sotshme në një mënyrë të tillë që nuk bëmë një pjesë të parë të mirë, humbëm topin dhe na zinin në kundërsulm kur humbnim topin. Pastaj ishte gabimi i mosvendosjes së mirë në goditje standarte. Nuk bëmë shumë përpara me veprime sulmuese tonat. Pjesa e dytë ishte tabllo tjetër, skuada u shpreh shumë mirë. Kam mendimin që në momentin më të mirë, u goditëm me penalltinë që dha arbitri”.

“Mendoj se kjo situatë është ana psikologjike që skuadra u ngarkua pas pësimit të golit, pasi pësuam gol nga hiçi. Një vendosje jo e mirë, nuk ka pse e përsëris më. Ky ishte një moment që Laçi e shfrytëzoi shumë mirë me lojtarët që ka përpara, plus ndihmën që ka nga krahët. Mendoj se pjesa e dytë ishte tablo komplet tjetër”.

“Duhet të kemi parasysh, se anën psikologjike të një skuadre e ngre vetë lojtari, stafi teknik nëpërmjet mënyrës se si komunikon me ta. Nuk është se patëm ndonjë reagim të keq kur pësuam gol. Thjesht them se janë momente që lojtarët duhet t’i kapërcejnë vetë dhe është më shumë te personaliteti që mund të kenë këta futbollistë, mënyra se si sillen, se nuk mund të themi asnjëherë që janë futbollistë të mirë e duan kohë që të ingranohen me njëri-tjetrin. Futbollisti i mirë e me vlera, luan siç kemi rastin e mesfushorit tonë i cili është shumë cilësor i cili luan futbollin serbes e drejt”,-tha Josa pas ndeshjes së humbur sot me Laçin në “Elbasan Arena”.

/Vipsport.al/